Ky artikull është përditësuar. Shiko përditësimet
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar se po monitoron vazhdimisht përmbytjet në Shqipëri, të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut. Ky njoftim u bë më 8 janar 2026, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke u drejtuar shtetasve amerikanë që ndodhen në vend.
Sipas njoftimit, situata po përkeqësohet dhe disa zona në të gjithë vendin janë vendosur nën urdhër evakuimi. Përmbytjet mund të ndodhin pa paralajmërim, ndërsa reshjet e shiut mund të çojnë në mbylljen e rrugëve për shkak të ujërave ose rrëshqitjeve të dheut.
Ambasada rekomandon që shtetasit amerikanë të shmangin zonat e prekura, veçanërisht ato me urdhra evakuimi, dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për mbylljet e rrugëve ose ndërprerjet e qarkullimit. Ata këshillojnë të ndjekin lajmet lokale për përditësime dhe të planifikojnë rrugët në përputhje me kushtet aktuale. Gjithashtu, Google Maps mund të ofrojë informacion në kohë reale mbi mbylljet e rrugëve dhe përmbytjet.
Për udhëtimet me automjet, sugjerohet të mos përpiqen të kalojnë nëpër zona të përmbytura, por të kërkojnë rrugë alternative ose të shtyjnë udhëtimin nëse nuk ka opsione të sigurta. Shtetasit inkurajohen të monitorojnë lajmet lokale, të kontaktojnë të afërmit e tyre dhe të përditësojnë statusin në mediat sociale nëse janë në zona të sigurta.
Në rast urgjence kërcënuese për jetën, mund të telefonohen numrat 127 për ambulancë, 112 për polici ose 128 për zjarrfikës. Gjithashtu, mund të kontaktohet Urgjenca Kombëtare në adresën elektronike urgjenca@urgjenca.gov.al ose në faqen http://urgjenca.gov.al/. Për informacion shtesë, shtetasit amerikanë mund të vizitojnë faqen zyrtare të ambasadës në https://al.usembassy.gov/.
Përditësim -
Ambasada e SHBA-së në Tiranë postoi në rrjetin social X (ish-Twitter) detajet e kontakteve për ndihmë emergjente ndaj shtetasve amerikanë për shkak të përmbytjeve. Shtetasit mund të telefonojnë në 4224-7285 nga Shqipëria ose +355-4224-7285 nga jashtë, dhe të dërgojnë email në acstirana@state.gov. Ndërkohë, Urgjenca Kombëtare ndryshoi emailin zyrtar në info@urgjenca.gov.al, në vend të urgjenca@urgjenca.gov.al.