Anija M/V “BESART” me flamur të Tanzanisë dhe me gjashtë persona në bord mbetet e bllokuar pranë bregut të Tales në Lezhë, si pasojë e dallgëve të forta që përfshinë Detin Adriatik një ditë më parë.
Anija fillimisht ishte e ndaluar në zonën e Kepit të Rodonit. Për shkak të kushteve të përkeqësuara të motit dhe mosmbajtjes së spirancës, ajo devijoi drejt bregdetit të Lezhës, duke u zhvendosur fillimisht në drejtim të Kunës dhe më pas në afërsi të Tale 2, ku përfundoi shumë pranë vijës bregdetare dhe u bllokua në cekëtinë.
Ndërhyrja për nxjerrjen e anijes konsiderohet e vështirë për shkak të dallgëve ende të larta në det dhe përmasave të saj, që e bëjnë të komplikuar tërheqjen. Ekuipazhi vazhdon të qëndrojë në bord, në pritje të orientimeve dhe vendimeve për veprime të mëtejshme nga autoritetet përgjegjëse.