Arrestimi i presidentit venezuelian Nicolás Maduro nga Shtetet e Bashkuara më 3 janar 2026 ka përshkallëzuar tensionet diplomatike me Meksikën, pak muaj para Kupës së Botës 2026, e cila do të organizohet nga SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka dënuar operacionin amerikan si shkelje të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Në një postim në rrjetet sociale, ajo ka cituar nenin 2, paragrafin 4, i cili ndalon përdorimin e forcës kundër integritetit territorial dhe pavarësisë politike të shteteve. Ministria e Jashtme e Meksikës ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të OKB-së për të shmangur përshkallëzimin e krizës.
Kryebashkiakja e Mexico City-s, Clara Brugada, ka shprehur mbështetje të plotë për qëndrimin e presidentes Sheinbaum, duke theksuar nevojën për stabilitet rajonal. Mexico City do të presë ndeshjen hapëse të turneut.
Nga ana tjetër, Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka deklaruar se ka marrëdhënie të mira diplomatike me Claudia Sheinbaum, por ka theksuar se Meksika mbetet problematik për shkak të trafikut të drogës. Ai ka thënë se "diçka do të duhet të bëhet me Meksikën" dhe ka përmendur mundësinë e ndërhyrjeve ushtarake në zona të caktuara të vendit. Meksika nuk ka mbështetur ndërhyrjen e SHBA-së në Venezuelë.
Këto zhvillime kanë ngritur shqetësime brenda FIFA-s për klimën politike rreth eventit sportiv. Të tri vendet pritëse janë të prekur, ndërsa kufiri mes sportit dhe gjeopolitikës duket gjithnjë e më i brishtë.