Ky artikull është përditësuar. Shiko përditësimet
Një 30-vjeçar shqiptar u arrestua nga policia italiane në Occhiobello pas një ngjarjeje të ndodhur fundjavën e kaluar në bar-pastiçerinë “San Lorenzo”, e vendosur në Via Roma.
Sipas hetimeve paraprake, i dyshuari ndodhej nën efektin e alkoolit dhe kërkoi të shërbehej me më shumë pije alkoolike, por stafi i lokalit e refuzoi. Pas një debati verbal, pronari i lokalit, i cili punonte si barist, dhe djali i tij, kamerier, e nxorën klientin jashtë ambienteve të barit. Konflikti u përshkallëzua jashtë, ku 30-vjeçari nxori një thikë dhe goditi të dy burrat.
Pronari i lokalit mbeti i plagosur më rëndë, pasi u godit në gjoks derisa përpiqej të mbronte djalin. Tehu i thikës mbeti i ngulitur në trupin e tij, ndërsa autori u gjet me dorezën e thyer të armës në dorë. I plagosuri u transportua me urgjencë në Spitalin e Rovigos, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Gjendja e tij shëndetësore është serioze, por jashtë rrezikut për jetën.
Policia u njoftua përmes numrit të emergjencës 112 dhe mbërriti në vendngjarje. Edhe pas arritjes së efektivëve, i dyshuari vazhdoi sjelljen agresive, duke detyruar imobilizimin e tij dhe arrestimin në flagrancë.
Të mërkurën, 30-vjeçari doli para Gjykatës së Rovigos, ku u konfirmua masa e sigurisë arrest me burg. Ai akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë në dy raste.
Përditësim -
Autoritetet italiane kanë vendosur 30-vjeçarin shqiptar në izolim pas arrestimit të tij të dielën. Pronari i lokalit vuan plagë kritike në gjoks, pranë brinjëve, sipas raportit mjekësor.