Shërbimet e Policisë së Lezhës, në bashkëpunim me ato të Kurbinit, finalizuan operacionin e koduar “Risku” në fshatin Gjormë të Kurbinit. Operacioni u zhvillua pas administrimit të informacionit të siguruar në rrugë operative rreth dy vëllezërve të dyshuar për veprimtari kriminale.
Fillimisht, policia ndaloi për kontroll automjetin e drejtuar nga shtetasi E. H. alias E. S., 35 vjeç. Në automjet u gjetën bizhuteri floriri dhe katër orë dore të markave luksoze, burimi i të cilave nuk u justifikua nga i ndaluari. Kjo çoi në procedim penal ndaj tij.
Më pas, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, vëllai i tij, Leonard Hasani, 37 vjeç, hodhi nga muri rrethues i banesës një çantë dhe tentoi të largohej me vrap sapo pa shërbimet policore. Ai u kap menjëherë, ndërsa në çantë u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e poseduar pa leje.
Leonard Hasani u arrestua në flagrancë. Policia sekuestroi armën, municionin, bizhuterinë dhe orat. Hetimet vijojnë për të përcaktuar burimin e sendeve me vlerë të sekuestruara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.