Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar "Rrjeti", duke vënë në pranga shtetasin K. M., 31 vjeç, banues në Durrës. Ai u kap në flagrancë gjatë një tentative për të vjedhur produkte në një supermarket, pjesë e të njëjtit rrjet ku kishte kryer më parë vepra të ngjashme.
Sipas njoftimit të policisë, K. M. dyshohet se ka kryer katër vjedhje gjatë periudhës nga 6 nëntori 2025 deri më 31 dhjetor 2025, në supermarkete të shpërndara në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit. Në secilin rast, ai merrte produkte ushqimore, i mbuste në xhepa ose qese, simulonte pagesën duke futur dorën në xhep ose hapur xhupin, dhe largohej me vrap pa kryer pagesën në kasa. Veprimet e tij u dokumentuan nga kamerat e sigurisë dhe u konfirmuan pas hetimeve të nisura nga kallëzimi i administratorit të rrjetit të supermarketeve.
31-vjeçari rezulton i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.