Vik Ntominik Gioel, shtetas zviceran i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli përmes një Njoftimi të Kuq, u arrestua më 9 janar 2026 në qytetin e Santa Martës në Kolumbi, me kërkesë të autoriteteve gjyqësore të Mbretërisë së Spanjës.
Hetimet spanjolle kanë zbuluar se Gioel kishte rol kryesor në koordinimin e dërgesave të lëndëve narkotike drejt vendeve evropiane, me fokus kryesor Spanjën. Ai dyshohet për trafikim droge dhe anëtarësim në një organizatë kriminale që vepronte në disa shtete. Sipas autoriteteve, Gioel menaxhoi aspektet logjistike, infrastrukturën dhe funksionimin e laboratorëve të fshehtë për përpunimin e kokainës dhe kanabisit, kryesisht në zonën Albalat de Taronchers të Valencias në Spanjë.
Për të shmangur kontrollin e emigracionit dhe policisë, Gioel përdorte dokumente identifikimi të shumta të rreme, përfshirë ato shqiptare, greke, spanjolle dhe belge, si dhe dokumente të siguruara në mënyrë të parregullt për qëndrimin në Kolumbi. Në sistemet zyrtare, ai paraqitej si shtetas shqiptar me emrin Xhuti Zuluaga Arsen.
Arrestimi u bë i mundur pas gjashtë muajsh hetimesh intensive në bashkëpunim ndërkombëtar, të udhëhequra nga Byroja Qendrore Kombëtare e Interpoli (NCB). Autoritetet kolumbiane kryen ndalimin në bashkëpunim me Interpolin, duke kontribuar në goditjen e rrjeteve të trafikut të drogës ndërkombëtar.