Banorët e fshatit Gjorm në Bashkinë Kurbin kanë dalë në protestë për shkak të përmbytjeve të vazhdueshme dhe dëmtimeve në rrugë nga vërshimi i ujërave. Në shenjë indinjate ndaj mosveprimit të pushtetit vendor dhe qendror për parandalimin e këtyre fenomeneve, ata kanë bllokuar për disa minuta rrugën nacionale Laç-Mamurras, ku nuk kanë munguar përplasjet.
Sipas banorëve, kjo situatë përsëritet si pasojë e mungesës së ndërhyrjeve në pastrimin dhe sistemimin e kanaleve kulluese, çka bën që zona të përmbytet sa herë ka reshje të dendura shiu. Gjormi mbetet një nga zonat më të prekura nga përmbytjet në Bashkinë Kurbin, me ngjarje të tilla të përsëritura brenda një harku kohor prej rreth gjashtë javësh, duke shkaktuar dëme të shumta materiale dhe vështirësi serioze për jetën e përditshme.
Banorët kanë shprehur frustrimin e tyre ndaj mosreagimit të institucioneve. Një prej tyre tha se pas 20 ditësh uji hyri përsëri në bizneset e tyre dhe asnjë masë nuk u mor, duke çuar në rrezik falimentimi për disa. "Të kalojë 1 metër e gjysmë ujë mbi rrugën nacionale, është krim", u shpreh një banor. Të tjerë theksuan se kanë kontaktuar bashkinë dhe policinë, por askush nuk u përgjigj, dhe se kryetarja e bashkisë nuk është parë në vendin e ngjarjes. "Kjo situatë është e përsëritur ka 5 vite. Asnjë lloj ndërhyrje nuk është bërë përveç se çfarë kemi bërë vetë", shtuan ata, duke përmendur se kanë mbushur vetë me zhavorr një pjesë të rrugës prej 100 metrash.
Në mbështetje të protestës ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Piroli, i cili deklaroi se Kurbinin e kanë lënë "në mëshirë të fatit" dhe se situata është e papranueshme për banorët. Ai theksoi se bashkia drejtohet nga Partia Socialiste që prej 14 vitesh dhe nuk është bërë asnjë ndërhyrje në fshatra si Gjormi dhe Zheji, të cilat u përmbytën përsëri pa kaluar një muaj.