Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka takuar ambasadorin William Walker më 13 janar 2026, në prag të përkujtimit të Masakrës së Reçakut.
Hamza ka nisur ditën me këtë takim dhe e ka bërë të njohur përmes një postimi në Facebook. Ai thekson se Walker, si çdo vit tjetër, është pranë popullit të Kosovës në ditët e nderimit për viktimat e masakrës. "Ditën e sotme e nisa me mikun e madh të Kosovës, Ambasadorin William Walker. Në ditët e nderimit për viktimat e Masakrës së Reçakut, si çdo vit tjetër, Ambasadori Walker është pranë nesh, ashtu siç ishte edhe në janarin e vitit 1999, kur me guxim i dha jehonë botërore krimit serb në Reçak dhe nuk lejoi që e vërteta të mbetej e heshtur", ka shkruar Hamza.
Ai ka vlerësuar lartë miqësinë dhe kontributin e Walkerit për Kosovën. "Miqësia dhe kontributi i Ambasadorit William Walker për Kosovën janë të jashtëzakonshme. Faleminderit për gjithçka që ke bërë për Kosovën, Ambasador!", shton postimi. Takimi vjen në kontekstin e përkujtimit vjetor të ngjarjes së janarit 1999, kur Walker, si shef i Misionit të Verifikimit të OSBE-së, njoftoi botën për masakrën në Reçak.