Dy javë pas nisjes së vitit 2026, buxheti i shtetit vazhdon të kryejë pagesa për faturat e muajit dhjetor 2025. Sipas të dhënave nga thesari i Ministrisë së Financave, janë realizuar pagesa në vlerë 380 milionë lekë (rreth 3 milionë euro) për faturat e datës 24 dhjetor 2025, si dhe mbi 505 milionë lekë (rreth 5,5 milionë euro) për ato të datës 31 dhjetor 2025. Këto shembuj ilustrojnë se shumica e pagesave nga thesari në ditët e para të janarit 2026 i përkasin detyrimeve të vitit të kaluar.
Ekspertët e financave vlerësojnë se kjo praktikë është e lejueshme nga pikëpamja ligjore. Sistemi buxhetor shqiptar funksionon kryesisht mbi bazën e parave të gatshme, ku shpenzimet regjistrohen në momentin e pagesës dhe jo domosdoshmërisht kur lind detyrimi ekonomik. Kështu, një faturë për shërbime ose mallra të dhjetorit, e paguar në janar, llogaritet si shpenzim i vitit 2026. Kjo nuk shkel ligjin për menaxhimin e financave publike, por deformon treguesit e vitit buxhetor dhe dëmton transparencën.
Si pasojë, deficiti i vitit 2025 shfaqet më i ulët, ndërsa barra reale e shpenzimeve zhvendoset artificialisht te viti pasardhës. Kjo mënyrë e pagesave të shtyra është kthyer në praktikë të përsëritur çdo fundvit, duke dëmtuar besueshmërinë e raportimit fiskal. Ajo kufizon të drejtën e publikut dhe të Kuvendit për të vlerësuar saktë koston reale të qeverisjes së vitit të kaluar.
Sipas standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar, shpenzimet regjistrohen në momentin kur lind detyrimi ekonomik, jo i pagesës. Të dhënat zyrtare tregojnë se në muajin dhjetor 2025, nga data 2 deri më 29, u kryen pagesa në vlerë rreth 84 miliardë lekë (rreth 840 milionë euro). Për të gjithë vitin 2025, shpenzimet totale arritën rreth 722,6 miliardë lekë, ndërsa plani vjetor ishte më i lartë, sipas të dhënave të fundit të disponueshme.