Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, deklaroi në emisionin 3D të moderuar nga Alban Dudushi në RTSH1 se shqiptarët duhet të kërkojnë një vizion politik përtej figurave të kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Sali Berisha.
Duke analizuar situatën opozitare, Muçi vlerësoi se mungesa e një vizioni të ri e mban politikën në kuadër të retorikës së vjetër, ku forcat politike bashkohen vetëm për të rrëzuar njëra-tjetrën, siç ka ndodhur në 35 vitet e fundit. Ai shpjegoi se kjo qasje ka zhytur Shqipërinë në mjerim dhe ka penguar përparimin.
Muçi sqaroi se nuk presin arrestime të menjëhershme nga SPAK ndaj këtyre figurave, por theksoi nevojën që qytetarët të mendojnë për një të ardhme pa to. Ai vlerësoi se kjo do të hapë rrugën drejt zhvillimeve pozitive.
Sa i përket ngjarjeve të fundit, Muçi deklaroi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar, ku sistemi i drejtësisë po godet politikanët e korruptuar që kanë vjedhur dhe plaçkitur vendin, i kanë bërë të gjitha të ligat dhe këta politikanë kanë qeverisur edhe Berisha, edhe Rama. Ai identifikoi këta si përgjegjës për dëmet ndaj vendit.
Në emër të Lëvizjes Bashkë, Muçi ftoi qytetarët në protesta masive për të shprehur vullnetin e përmbysjes së sistemit të vjetër. Ai sqaroi se kjo përmbysje nuk synon zëvendësimin e Ramës me Berishën, por hapjen e një faqeje të re në historinë e Shqipërisë.