Në zonën e ish-Kënetës në Durrës, situata e përmbytjeve vazhdon të jetë problematike edhe pas ndërprerjes së reshjeve të shiut. Sot shënohet dita e gjashtë e kësaj situate, ku shumë banesa mbeten ende nën ujë.
Uji është i pranishëm në një numër të madh shtëpish, kryesisht në katet e para, të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale. Banorët vlerësojnë se do të nevojitet kohë e gjatë për tharjen e këtyre ambienteve dhe rikthimin e tyre në kushte të banueshme.
Shenjat e lagështirës janë të dukshme në muret e banesave. Banorët po përpiqen të largojnë ujin e mbetur duke përdorur pompa uji dhe fshesa në ambientet e brendshme si dhe në oborret e shtëpive.