Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi se forcat e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut vazhduan operacionet e tyre gjatë natës në të dy anët e lumit Seman. Këto operacione u zhvilluan në kushte të vështira për shkak të situatës së rënduar të shkaktuar nga dalja e lumit nga shtrati.
"Është një tjetër natë sprove dhe sakrifice për djemtë tanë në terren," tha Vengu. Evakuimi i banorëve nga fshatrat pranë lumit, në bashkitë Kuçovë dhe Dimal, ka vijuar gjatë gjithë natës si masë parandaluese për të garantuar sigurinë e tyre.
Forcat e Armatosura, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, mbeten të angazhuara në terren. Ato punojnë krah për krah me strukturat vendore për menaxhimin e situatës dhe për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.