Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) refuzoi të mërkurën kërkesën e zyrtares së lartë të Policisë së Shtetit, Ervina Gjana, për kthimin e pajisjeve elektronike të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e saj dhe të bashkëjetuesit Renato Hristic. Kontrolli u krye në mesin e muajit dhjetor në kuadër të hetimeve të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për një grup të strukturuar kriminal të lidhur me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan tetë telefona celularë dhe dy laptopë. Gjana, e cila mban funksionin e drejtoreshës së Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, pretendoi se pajisjet i përkisnin asaj dhe fëmijëve të saj, por GJKKO vlerësoi masën e sekuestrimit si të ligjshme dhe urdhëroi dërgimin e tyre për ekspertizë në laborator.
Hetimi fokusohet në dyshime për përfshirje në aktivitete si mashtrime online, call-center të paligjshme, ndërhyrje në sistemet informatike dhe TIMS, si dhe bashkëpunim në krimin kibernetik. Bashkëjetuesi i Gjanës, Renato Hristic, rezulton i lidhur me biznesmenin Ergys Agasi, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK si një nga drejtuesit e grupit kriminal. Emri i Gjanës përmendet në biseda të regjistruara të Agasit, ku diskutohet një aksion për falsifikime, çka ngre dyshime se ajo mund të ketë ndihmuar në lëvizjen e strukturave të hetimit kibernetik për të goditur biznese rivale ose të ligjshme ku Agasi ose miqtë e tij kishin interesa.
Në të njëjtin hetim, SPAK ka ngritur akuza për organizatë kriminale, shkelje të barazisë në tendera publikë, konkurrencë të paligjshme përmes dhunës dhe pastrim parash. Biznesmeni Ermal Beqiri është gjithashtu në kërkim, ndërsa ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendëses së saj, Hava Delibashi, është vendosur masa e arrestit në shtëpi. Masa më të lehta sigurie, si pezullim nga detyra ose ndalim për të dalë jashtë vendit, janë aplikuar ndaj personave të tjerë, përfshirë Erion Ismailin, Andis Papën, Gëzim Hoxhën dhe Rogers Rrytën. Hetuesit dyshojnë se grupi ka favorizuar kompani të caktuara në tenderat e AKSHI-t dhe ka ushtruar presion, përfshirë rrëmbimin e biznesmenit Gerond Mece, për të detyruar tërheqjen nga ankesat.