Gjykata Themelore në Prishtinë ka vazhduar masën e paraburgimit ndaj të akuzuarit Ramadan Morina për dy muaj. Vendimi është marrë më 30 dhjetor 2025, duke miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e kësaj mase në çështjen penale kundër tij.
Sipas zëdhënares së gjykatës, Mirlinda Gashi, ky vendim është dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se Morina ka kryer veprën penale të krimeve lufte kundër popullatës civile. Në seancën e mbajtur më 30 dhjetor 2025, i akuzuari u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzat e ngritura.
Sipas aktakuzës, Morina ngarkohet se gjatë periudhës 1998-1999, në kohën e luftës në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime, arrestime dhe keqtrajtime fizike ndaj civilëve shqiptarë. Në veçanti, më 31 mars 1999, ai dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe.