Tre shtetas shqiptarë do të dalin në gjyq në Zvicër për kontrabandë të 500 kilogramëve kokainë, të fshehur në thasë kafeje në një kontejner të ardhur nga Brazili. Gjykimi fillon më 21 janar 2026 në Gjykatën Penale të Basel-Landschaft. Prokuroria e kësaj zone vlerëson drogën në 60 milionë franga zvicerane, me një pastërtie mesatare prej 99 për qind. Kontejneri kishte lënë portin e Santos në mes të marsit 2022, kishte mbërritur në Antwerp dhe më pas ishte transportuar në Frenkendorf, ku të pandehurit u përpoqën të vidhnin kokainën. Pas 32 orësh depozitim, kontejneri u dërgua në fabrikën e Nespresso-s në Romont, kantonin e Friburgut, ku punonjësit e zbuluan drogën më 2 maj 2022. Ky rast konsiderohet i dyti më i madh për sasi në Zvicër, por rekord për vlerë.
Në Belgjikë, 13 shqiptarë po gjykohen për trafik kokaine në apartamente të marra me qira në Antverpë dhe Schoten. Hetimi filloi në fund të vitit 2023, pas informacioneve për një bazë operative në rrugën Somersstraat të Antverpës. Policia përdori vëzhgime, përgjime të drejtpërdrejta dhe analizë telefonatash për të identifikuar grupin, i cili importonte drogë përmes portit të Antverpës. Në biseda të përgjuara, ata folën për "pjekje sanduiçesh", kod për përpunimin e kokainës, duke e përzier me substanca si prokaina, një mpirës i përdorur fillimisht për anestezi stomatologjike, por tani për hollimin e drogës. Trafikantët ankoheshin për rënien e çmimit në 20.000 euro për kilogram. Gjithashtu, diskutoheshin plane për blerje mefedrone dhe kultivim kanabisi, duke përdorur kodin "bebe" për bimët.
Bastisjet u zhvilluan në nëntor 2024 dhe janar 2025 në adresa si Koninklijkelaan në Berchem, Stenenbrug në Borgerhout dhe Pasteurlaan në Schoten. Gjatë tyre u gjetën kimikate, presë, logo, materiale paketimi dhe gjashtë blloqe kokaine në faza të ndryshme përpunimi. Prokuroria Publike kërkoi dënime burgu nga 18 muaj deri në 7 vjet, si dhe gjoba deri në 40.000 euro për secilin.