Ky artikull është përditësuar. Shiko përditësimet
Instituti i Gjeoshkencave ka njoftuar se sot pritet rritje e prurjeve dhe niveleve në të gjithë lumenjtë, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të ditën e djeshme. Kjo situatë mund të shkaktojë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.
Në zonat urbane të këtyre qarqeve, mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, varësisht nga gjendja e kanalizimeve. Rrezik të shtuar për përmbytje lokale kanë lumenjtë Ishëm, Erzen, Mat dhe Vjosa. Për lumin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës pritet rritje e prurjeve dhe niveleve, me rrezik shtimi të sipërfaqeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës.
Gjithashtu, priten reshje dëbore në zonat veri, lindje dhe juglindje të territorit. Këto reshje do të pasohen nga ulje e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat, që mund të krijojnë probleme dhe vështirësi në transportin rrugor.
Sot parashikohen reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër dhe Elbasan, ndërsa në qarqet e tjera reshje mesatare. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata. Në lartësitë mbi 600 m mbi nivelin e detit, në veri, lindje dhe juglindje, reshjet do të bien në formë dëbore.
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet 9/10 °C; në vendet e ulëta 8/9 °C; dhe në vendet malore -2/0 °C. Era do të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në zonat malore.
Përditësim
IGJEO paralajmëron rritje të niveleve të lumenjve për shkak të reshjeve të pritshme pasditen e së shtunës dhe të dielës, më 11 janar. Rreziku i përmbytjeve vazhdon, pavarësisht uljes së intensitetit të reshjeve.