Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, Admiralin George M. Wikoff, si dhe Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajorin Özkan Ulutaš.
Në këtë takim, ata kanë diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe bashkëpunimin me KFOR-in. Maqedonci ka theksuar angazhimin për forcimin e kapaciteteve të FSK-së përmes edukimit të oficerëve sipas doktrinës së shteteve perëndimore, si dhe modernizimit me sisteme armatimi të prokuruara nga shtetet anëtare të NATO-s.
Këto masa synojnë të shërbejnë për sigurinë e qytetarëve dhe përparimin e aspiratës së Kosovës për anëtarësim në NATO. Maqedonci ka ndarë këto detaje në një postim në Facebook, ku ka përsëritur se diskutimet u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe vendor.