Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar menjëherë pas sinjalizimit nga media për braktisjen e mundshme të tre fëmijëve nga nëna e tyre në Durrës. Strukturat përgjegjëse morën masa për sigurinë e të miturve.
Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, mori deklaratat përkatëse nga nëna, fëmijët dhe gjyshja e tyre. Kjo u bë për të sqaruar rrethanat e rastit dhe për të garantuar mbrojtjen e fëmijëve.
Tre fëmijët mbërritën në Spitalin Rajonal Durrës, ku po qëndrojnë nën kujdesin e stafit mjekësor, të shoqëruar nga nëna. Atje u sigurua ushqimi dhe veshmbathja e nevojshme, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore po monitorohet vazhdimisht. Ministria bën me dije se fëmijët dhe nëna janë në gjendje të mirë.
Në vijim, do të mblidhet Grupi Teknik Ndërsektorial, i cili do të shqyrtojë rastin dhe do të vendosë masat e mëtejshme për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Përditësime
Ministria e Shëndetësisë raportoi se tre fëmijë ishin të braktisur për tre ditë në apartamentin e tyre në Durrës. Ata u gjetën sot dhe janë tani nën kujdes mjekësor dhe social.
Autoritetet ligjore në Durrës kanë nisur procedurë penale ndaj nënës së tre fëmijëve për braktisje fëmijësh. Fëmijët janë nën kujdes mjekësor dhe social, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.