Reshjet e dendura të shiut në datat 10-12 janar 2026 kanë shkaktuar probleme në disa qarqe të Shqipërisë, duke përfshirë rritje të niveleve të lumenjve, përmbytje të tokave bujqësore dhe rrëshqitje dherash. Situata është më e rëndë në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat.
Në qarkun Shkodër, nivelet e lumenjve Drin, Kir dhe Bunë kanë rritur, duke përmbytur zona në bashkinë Shkodër, veçanërisht në njësitë Ana e Malit dhe Dajç. Hidrovorët punojnë me kapacitet të plotë dhe situata është nën monitorim, pa arritur kuota kritike.
Në qarkun Durrës, janë verifikuar 5 477 banesa, me dëme në 1 711 prej tyre dhe evakuim të 851 personave, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri. Rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur.
Në qarkun Lezhë, niveli i ujit në tokat bujqësore ka rënë, ndërsa forcat në terren largojnë ujin nga banesa. Lumi Drin është në ulje, por lumi Mat ka rritje për shkak të shkarkimeve nga hidrocentralet Shkopet dhe Qafë Mollë.
Situata në qarkun Gjirokastër
Qarku Gjirokastër përballet me probleme kryesisht nga rrëshqitjet e dherave dhe bllokimet rrugore. Prefekti raporton se situata po normalizohet gradualisht me mot të kthjellët dhe temperatura të ulëta, por disa akse mbeten të bllokuara.
Në bashkinë Gjirokastër, rruga e Qafës së Çajupit vijon të jetë e bllokuar për shkak të prurjeve të larta të inerteve; kontraktorët punojnë për hapjen e saj. Rruga e Dhoksatit (njësia Lunxhëri) qarkullon me fuoristrada. Mbi fshatin Mingul monitorohet një rrëshqitje masive kodre. Punohen largimi i inerteve në lagjet Dunavat dhe Manalat, si dhe në përroin e Sopotit në Lazarat.
Në bashkinë Libohovë, rrugët hyrëse të fshatrave Zhej, Lliar dhe Topovë (njësia Zagori) janë të bllokuara nga rrëshqitje aktive; kërkohet ndërhyrje me fadromë dhe studim gjeologjik.
Në bashkinë Memaliaj, një rrugë e brendshme izoloi 5 banesa në fshatin Memaliaj. Në Tosk-Martalloz (njësia Luftinjë), rrëshqitje rrezikojnë një banesë, pa mundësi ndërhyrjeje për terrenin e vështirë. Në Levan (njësia Krahës), rrëshqitjet përsëriten. Fshati Kurtjez ka mungesë energjie elektrike nga rënia e pemëve.
Në bashkinë Këlcyrë, janë evakuuar banorë në Malëshovë për rrezik banesash. Rrugët e fshatrave Luar (njësia Sukë) dhe Psar (njësia Ballaban) janë të bllokuara.
Në bashkinë Tepelenë, aksi Tepelenë–Gjirokastër (pranë Shkallës së Zezë) qarkullon me një korsi. Akse si Salari–Nivicë, Dukaj–Sinanaj dhe Subash–Hormovë mbeten të paaksesueshme. Mungon energjia në njësinë Kurvelesh dhe Ballaban.
Në bashkinë Përmet, rruga drejt Frashërit është hapur, duke lejuar lëvizje në fshatra si Pagri, Borockë, Kreshovë, Soropull dhe Odrican. Dy familje në lagjen Sede janë rikthyer në banesa pas largimit të ujit.
Bashkia Dropull nuk raporton probleme.
Niveli i lumit Vjosë në Memaliaj është 4.7 metra, nën monitorim. Strukturat e emergjencave dhe bashkive punojnë për pastrimin e rrugëve dhe mbrojtjen e zonave të rrezikuara.
Përditësime
Lumenjtë Seman, Vjosë dhe Shkumbin dolën nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje në zonat e Murrizit, Thanasajt, Roskovec-Patos dhe Fierit, me ujë që preku banesa dhe tokë bujqësore.
Sipërfaqja e përmbytur në Shkodër u rrit në 945 hektarë, ndërsa nivelet e lumenjve mbeten nën kuotat kritike; autoritetet përdorin mjete ushtarake për qarkullim në Obot.
Në Fier, situata përmirësohet me akse të kalueshme dhe ulje të nivelit të Vjosës, por Semani vazhdon të paraqesë rrezik për 6 fshatra (Belinë, Kallm, Mbrostar, Mujalli, Gercalli, Petov) dhe 100 hektarë tokë të përmbytur.
Reshje të reja dëbore godasin veriun, duke bllokuar rrugën për në Theth me trashësi deri në 2 metra dhe izoluar fshatra në Kukës; ndërprerje energjie raportohen në Dibër dhe Korçë.
Rrëshqitje të reja dherash çuan në evakuime në Pogradec (Cërravë, Dardhas), me probleme rrugore në Korçë dhe ndërprerje energjie në zona rurale.
Shkodër – Sipërfaqja e përmbytur në Ana e Malit u rrit nga 150 hektarë në 600 hektarë krahasuar me ditën e mëparshme, duke arritur një total prej rreth 1000 hektarë në qark. Rruga e Obotit ka ujë deri në 1 metër thellësi, duke e bërë të pakalueshme edhe nga mjete ushtarake; lëvizja kryhet vetëm me varka.
Lezhë – 1200 hektarë tokë bujqësore nën ujë në Balldren dhe Zejmen.
Kurbin – Rënie e nivelit të ujit në Adriatik, Gjorm dhe Mamurras; autoritetet po verifikojnë dëmet dhe evakuojnë bagëtinë.
Vlorë – Niveli i Vjosës në Novoselë po bie drejt normalizimit; raportohen rrëshqitje toke në Vajzë dhe probleme në akset rrugore të Selenicës.
Autoritetet vendore raportojnë se sipërfaqja e tokës bujqësore të përmbytur në Shkodër është ulur në 500 hektarë nga 1000 hektarë më parë. Uji vazhdon të arrijë deri në 120 cm në aksin rrugor Obot. Përmbytje të reja janë shfaqur në zonat Urrelat–Shirq të Dajçit. Ndërkohë, uji po tërhiqet gradualisht në disa zona të Shkodrës dhe Lezhës. Në Kurbin, ekipet e emergjencës po kryejnë verifikime dhe evakuime të bagëtive. Në Torovicë, tërheqja e ujit mbetet e ngadaltë, duke shkaktuar probleme të vazhdueshme.