Jose Mourinho, trajneri i Benficës, ka vendosur që lojtarët e tij të kalojnë natën në qendrën stërvitore në Seixal pas humbjes 3-1 ndaj Bragës në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës, të mërkurën në Lisbonë. Ndeshja u mbyll me 10 lojtarë për Benficën pasi mbrojtësi Nicolas Otamendi, ish-lojtar i Manchester Cityt, u përjashtua me karton të kuq.
Mourinho deklaroi se shpreson që lojtarët "nuk do të flenë, por do të mendojnë shumë" për performancën e dobët. Ai theksoi se të enjten do të zhvillojnë stërvitje dhe biseda, duke preferuar dialogun me ekipin në vend të monologut në dhomën e zhveshjes. Sipas tij, pjesa e parë e ndeshjes ishte e dobët për shkak të gabimeve teknike, zotërimit të dobët të topit dhe reagimit negativ ndaj një penaltie të akorduar nga arbitri Joao Pinheiro, e cila ndodhi jashtë zonës.
Ky është rikthimi i dytë i Mourinhos te Benfica, ku ai filloi karrierën si trajner në vitin 2000 dhe drejtoi vetëm 10 ndeshje për shkak të mosmarrëveshjes me presidentin e klubit. Në këtë mandat të ri, që filloi në shtator 2025, ai ka arritur 14 fitore në 23 ndeshje, por humbja ndaj Bragës ndërpreu një seri prej 11 ballafaqimesh pa disfatë.
Benfica renditet e treta në Primeira Liga, 10 pikë pas liderit Sporting. Ekipi do të udhëtojë në Porto për çerekfinalet e Kupës së Portugalisë të mërkurën e ardhshme. Tifozët shprehën pakënaqësinë me një parrullë në stadiumin Da Luz, duke kritikuar politikën sportive të drejtuesve të klubit.