Ky artikull është përditësuar. Shiko përditësimet
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se, duke filluar nga janari 2026, do të nisë vaksinimi kundër virusit Human Papilloma (HPV) edhe për djemtë e moshës 13 vjeç, si pjesë e kalendarit kombëtar të vaksinimit. Vaksinimi është falas dhe shpërndahet në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit.
Vaksina mbron vajzat dhe gratë kryesisht nga kanceri i qafës së mitrës, ndërsa te djemtë ndihmon në parandalimin e disa llojeve të kancereve të lidhura me HPV-në, si kanceri i organeve gjenitale, i traktit urogenital dhe i faringut. Epidemiologja Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) theksoi se virusi transmetohet përmes kontaktit seksual dhe se djemtë mund të jenë bartës dhe transmetues të tij. Ajo sqaroi se jo të gjitha infeksionet me HPV shkaktojnë probleme, por një pjesë bëhet kronike dhe çon në zhvillime para-kanceroze.
Prindërit janë informuar përmes fushatave sensibilizuese dhe mesazheve të drejtpërdrejta në telefona. ISHP ka regjistruar të gjithë fëmijët deri në moshën 20 vjeç dhe dërgon njoftime SMS për vaksinimin në moshën 13 vjeç, si për djemtë ashtu edhe për vajzat. Dozat e vaksinës për mbulimin e mbi 18 mijë djemve që mbushin 13 vjeç këtë vit janë shpërndarë tashmë në qendrat shëndetësore.
Që nga viti 2022, vaksinimi kundër HPV-së aplikohet me detyrim tek vajzat e moshës 13 vjeç, dhe sipas ISHP-së, janë vaksinuar rreth 46 mijë vajza në total. Ministria e Shëndetësisë vlerëson se ky zgjerim i programit është i sigurt dhe efektiv, duke ulur rrezikun e kancerit tek brezi i ri dhe duke ndikuar në uljen e qarkullimit të virusit në popullatë. HPV-ja është infeksioni më i përhapur seksualisht, me mbi 1200 lloje gjenetike, ku një e treta lidhet me sëmundje anogenitale beninje ose malinjë.
Përditësim
Shkodër regjistroi mbulim vaksinimi 95% për grupmoshën 0-18 vjeç në 2025, niveli më i lartë në pesë vitet e fundit, sipas autoriteteve shëndetësore lokale.
Vaksinimi kundër HPV-së për vajzat 13-18 vjeç shënoi rritje krahasuar me vitin e mëparshëm, me 70% e vajzave mbi 13 vjeç në Shkodër që kanë marrë dozën.