Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi Komunën e Gjakovës më 7 janar 2026, pas vërshimeve të ditëve të fundit. Ajo shprehu solidaritet me qytetarët dhe vlerësoi angazhimin e institucioneve për menaxhimin e situatës.
Osmani: "Sot ishim këtu së bashku me ekipin tonë për të shprehur solidaritetin me të gjithë qytetarët e Gjakovës, me komunën e Gjakovës, për shkak të dëmeve të krijuara nga vërshimet e djeshme. Fatmirësisht, ato pak a shumë janë ndalur dhe po shpresojmë që nuk do të ketë dëme të mëtejme, por dua t'i falenderoj të gjitha institucionet që janë angazhuar pa ndalë, nga kryetari i komunës dhe të gjitha institucionet lokale tek institucionet qendrore, agjencitë e emergjencave, organet e rendit dhe secilin qytetar që ka treguar solidaritet në mënyrë që kjo gjendje të tejkalohet më me lehtësi."
Ajo theksoi se ka familje të prekura dhe se institucionet do të jenë pranë tyre. "Natyrisht që ka familje të prekura nga kjo situatë, vendbanimet e të cilëve janë dëmtuar. Do të punojmë bashkarisht që kjo të tejkalohet dhe të jemi pranë tyre në përballjen me këtë situatë. Kryetari Gjini na njoftoi për të gjitha masat që janë ndërmarrë e po ashtu për planet që do të hartohen në vazhdimësi sa i përket kalkulimit dhe kompensimit të dëmeve dhe po ashtu çështjeve të tjera. Do të jemi aty për të bashkëpunuar sepse çdo sfidë është e tejkalueshme atëherë kur punojmë bashkë."
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, e cilësoi vizitën si të rëndësishme dhe njoftoi se situata po stabilizohet. "Është vizitë e rëndësishme. E kemi kaluar një dy-tri ditë goxha të vështira, po sot është e vërtetë që niveli i ujërave ka rënë edhe nuk po shihet që do të kemi rritje të problemit në ditët që vijnë. Po duket që situata ka me qenë më mirë."
Gjini njoftoi se gjatë vërshimeve ka pasur evakuime të qytetarëve. "Po, kemi pasur disa evakuime, i kemi vendosur në objektet tona të banimit social. Ka familjarë të cilët i kanë marrë të afërmit e vet nëpër shtëpitë e tyre. Jemi kujdesur deri sot për ushqim, një pjesë edhe për veshmbathje."
Ai shtoi se ekipet komunale po punojnë në sanimin e dëmeve dhe pastrimin e zonave të prekura. "Jemi duke i sanuar dëmet aty ku mundemi, duke i pastruar rrugët prej shembjeve ose prej vërshimeve ose prej mbeturinave."
Komuna do të nisë vlerësimin zyrtar të dëmeve nga nesër.