Instituti Hidrometerologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë vikendit parashihet mot kryesisht i vranët, i shoqëruar me reshje shiu dhe bore.
Të shtunën priten fillimisht riga shiu, të cilat gradualisht do të shndërrohen në reshje bore, veçanërisht në zonat më të larta, si pasojë e rënies së temperaturave. Të dielën të dy vlerat ekstreme të temperaturave mbeten në vlera negative. Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -6 dhe -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet ndërmjet 0 dhe 5 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 12 m/s.
IHMK bën apel për kujdes nga ngasësit e mjeteve motorike gjatë qarkullimit në rrugë, pasi ngricat janë evidente gjatë gjithë kohës. Si pasojë e reshjeve, instituti kërkon vigjilencë nga komuna dhe agjencitë përgjegjëse, veçanërisht në zonat me infrastrukturë të dobët dhe vendbanimet pranë rrjedhave lumore, ku mund të lindin vështirësi në qarkullimin normal të ujërave dhe në komunikacion.
Java e ardhshme parashihet të karakterizohet nga mot më i ftohtë, me rënie të mëtejshme të temperaturave dhe paraqitje të acarit. Pas reshjeve të fundit, situata meteorologjike është stabilizuar sa i përket reshjeve, por do të depërtojnë masa të ftohta ajrore në të gjithë territorin. Temperaturat minimale gjatë mëngjeseve pritet të zbresin deri në -12 gradë Celsius, derisa maksimalet e ditës të arrijnë deri në 7 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi dhe juglindja, e lehtë deri mesatare. Mëngjeset do të jenë të ftohta me ngrica, ndërsa vende-vende pritet mjegull.
Parashikimi ditë për ditë
• E hënë: Mot krysisht i vranët me intervale me diell. Minimale -11 deri -8°C, maksimale -5 deri -1°C.
• E martë: Mot krysisht i vranët. Minimale -12 deri -7°C, maksimale -2 deri 2°C.
• E mërkurë: Mot krysisht i vranët me intervale me diell. Minimale -5 deri -2°C, maksimale 1-5°C.
• E enjte: Mot i vranët me intervale me diell. Minimale -5 deri -1°C, maksimale 3-7°C.
• E premte: Mot i vranët me intervale me diell. Minimale -5°C, maksimale 7°C.
IHMK kërkon kujdes të shtuar për pjesëmarrësit në trafik gjatë kësaj periudhe.