Ky artikull është përditësuar. Shiko përditësimet
Prej gati dy ditësh, Shqipëria është përfshirë nga moti i keq, me reshje intensive të shiut që kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme në shumë qarqe të vendit. Qarqet më të prekura janë Durrës, Kurbin, Gjirokastër dhe Fier.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, duke folur nga Vlora, ku ka qenë në terren për të mbikëqyrur situatën, në një intervistë për emisionin Real Story të ABC News, theksoi se vendi ndodhet në kushtet e menaxhimit të situatës, jo të emergjencës kombëtare. Ai shpjegoi se situata nuk ka dalë nga kontrolli dhe se ka pasur një menaxhim të mirë të kaskadës së Drinit që nga dita e shtunë.
Vengu deklaroi se forcat shtesë janë vendosur në terren për të qenë pranë qytetarëve dhe në gatishmëri. Ai përmendi praninë e forcave në Durrës gjatë natës, duke e cilësuar atje si emergjencë urbane, jo kombëtare. Gjendja në Mifol është e qëndrueshme, ashtu si kuotat në Përmet dhe Memaliaj. Argjinaturat dhe kanalet kulluese kanë kryer funksionet e tyre, duke mbajtur situatën në kontroll.
Ministri shprehu shpresën që kushtet atmosferike të qetësohen, duke theksuar se reshjet intensive janë përqendruar në një kohë të shkurtër. Strategjia qeveritare fokusohet te ruajtja e jetës së njerëzve, me mbikëqyrje të hidrocentraleve dhe të furnizimit me energji elektrike. Të gjitha Forcat e Armatosura janë të dislokuara nga Kukësi deri në Delvinë për të mbështetur operacionet.
Përditësim
Autoritetet shqiptare evakuan 500 persona në Durrës dhe i akomoduan në struktura hotelerie. Forcat e emergjencës evakuan tre fshatra në grykëderdhjen e Vjosës.
Përmbytjet në Gjirokastër dhe Delvinë janë pasojë e zjarreve të mëparshme, sipas ekspertëve, të cilat kanë lënë tokën pa mbulim vegjetal dhe pa aftësi mbajtëse, duke shkaktuar rrëshqitje dherash.
Shkodra mbetet e thatë falë investimeve në kanalizime dhe prita. Vlorë shmang përmbytjet pavarësisht reshjeve intensive.
Autoritetet kanë rritur gatishmërinë në zonën e Bunës. Forcat u dislokuan në Shijak, Bashkinë e Vlorës dhe Fier.