Ky artikull është përditësuar. Shiko përditësimet
Reshjet e shumta gjatë natës së 7-8 janarit 2026 në zonën e Pogradecit kanë shkaktuar daljen nga shtrati të përroit të fshatit Gur i Kuq. Kjo situatë ka bllokuar shkarkuesin e përroit në aksin nacional Pogradec-Qafë Thanë, duke kufizuar qarkullimin e mjeteve në një distancë prej 100 metrash vetëm në një korsi. Punimet për zgjidhjen e problemit kanë filluar që nga ora 3:00 e mëngjesit.
Fatmirësisht, nuk janë rrezikuar banesat në zonë. Megjithatë, reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje dherash në disa akse rurale. Për momentin, janë izoluar 3 fshatra në njësinë Proptisht dhe 7 fshatra në njësinë Dardhas, ku mungon edhe energjia elektrike.
Aksi rrugor që lidh njësinë Trebinjë, duke kaluar nga rruga e re Qukës-Qafë Plloçë, është i bllokuar plotësisht. Komunikimi rrugor me këtë njësi mund të bëhet vetëm përmes Përrenjasit.
Në fshatrat e izoluar, kopshtet dhe shkollat fillore janë mbyllur për ditën e sotme, pasi mësuesit nuk kanë mundur të arrijnë në punë për shkak të bllokimeve rrugore.
Përditësim
Reshjet dhe përmbytjet vazhdojnë në zonën e Pogradecit për ditën e dytë me radhë. Punimet e normalizimit në aksin kryesor Pogradec-Qafë Thanë kanë nisur prej dy ditësh, ndërsa një korsi emergjente drejt Dardhës po hapet prej tre ditësh.
Rruga kryesore drejt Dardhës është shembur plotësisht, duke e bërë kalimin e pamundur.
Rrëshqitjet e dheut kanë bllokuar aksin Kakaç-Grunjas dhe Kalivaç-Dunicë.
Zyra Arsimore Pogradec ka konfirmuar mbylljen e procesit mësimor në fshatrat Dunicë dhe Grunjas.
Në Unazën e Pogradecit u shemb një segment rruge prej 50 metrash, duke kufizuar lëvizjen vetëm në një korsi.
Prurjet e lumenjve kanë ulur nivelin e ujit, por përmbytjet kanë shkaktuar dëme të rënda në sipërfaqet bujqësore.