Instituti i Statistikave (INSTAT) ka raportuar se përmbytjet dhe ngricat e fundit kanë shkatërruar 65% të prodhimit të perimeve në zonat kryesore bujqësore të Shqipërisë. Këto fenomene natyrore, të regjistruara në fillim të janarit 2026, kanë ndikuar veçanërisht në qarqet e Beratit, Lushnjës dhe Fierit, ku bujqësia intensive mbështetet kryesisht në kultivimin në serra.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, deri më 12 janar ishin përmbytur rreth 13 mijë hektarë tokë bujqësore. Përmbytjet kanë prekur drejtpërdrejt zonat e Myzeqesë, duke dëmtuar strukturat e serave, fidanët dhe tokën në fazë vjeljeje. Ngricat e ditës së parë të vitit, të ndjekura nga përmbytjet dhe ngricat e dy ditëve të fundit, kanë dhënë goditje të rëndë prodhimit të sezonit të hershëm.
Në qarkun e Lushnjës, zonat më të prekura janë fshatrat Plug, Karavasta e Re dhe Krutje, ku uji ka mbushur parcelat me sera plastike për ditë të tëra. Këto zona kanë përqendrim të lartë serash dhe kontribuojnë në furnizimin e eksportit me perime të hershme. Në qarkun e Fierit, përmbytjet kanë ndikuar në fshatrat Hoxhara, Suk 1 dhe Kallm i Madh, ku uji ka mbuluar jo vetëm tokën, por edhe rrugët lidhëse dhe kanalet, duke penguar ndërhyrjen e fermerëve.
Në qarkun e Beratit, dëmet janë të konsiderueshme në fshatrat përgjatë ultësirës dhe afër lumenjve, si Otllak, Velabisht dhe Kozare. Fermeri Mariglen Ziu, që kultivon serra në Samaticë, shpjegon se përmbytjet kanë shkaktuar kalbje të rrënjëve dhe humbje të fidanëve, duke detyruar rifillimin e ciklit të prodhimit nga e para. Ai shton se ngricat e dy ditëve të fundit kanë dëmtuar bimët e pambuluara nga uji.
Dëmet nuk kufizohen vetëm te prodhimi aktual, por shtrihen edhe te përgatitja e tokës për mbjelljet e ardhshme. Gjithashtu, raportohet se ka dëme në sektorin e blegtorisë, edhe pse detajet specifike nuk janë sqaruar ende nga autoritetet.