Ky artikull është përditësuar. Shiko përditësimet
Përmbytjet e shkaktuara nga rritja e nivelit të ujit në lumin Vjosë kanë detyruar autoritetet të evakuojnë banorët në Njësinë Administrative Novoselë të Bashkisë Vlorë. Operacioni i evakuimit po zhvillohet nga forcat e Emergjencave Civile, Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura, me transport drejt konviktit në qytetin e Vlorës.
Mesditën e sotme, Policia Kufitare, në bashkëpunim me forcat Delta Force, evakuoji dy të moshuar nga banesa e tyre në zonën e 10 banesave të komunitetit rom. Ata kishin refuzuar të largoheshin pavarësisht se niveli i ujit kishte arritur rreth një metër e gjysmë brenda shtëpisë, duke i lënë të izoluar. Të moshuarit u transportuan me gomone drejt rrugës kryesore në Novoselë.
Në të njëjtën zonë, strukturat e emergjencave shpëtuan një familje që kishte mbetur e izoluar për shkak të përmbytjes së rrugëve dhe oborreve përreth. Familja u evakuua bashkë me qenin e tyre, duke përdorur mjete lundruese nga Emergjencat Civile, Policia dhe shërbimi zjarrfikës.
Procesi i evakuimit në Novoselë dhe në Njësinë Administrative Ferras është drejt përfundimit, megjithëse në Ferras ka pasur vonesa për shkak të refuzimit fillestar të disa banorëve për të lënë banesat. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndau pamje nga operacionet në terren.
Autoritetet lokale në Vlorë apelojnë për kujdes të shtuar dhe shmangie të lëvizjeve në zonat e rrezikuara nga përmbytjet. Strukturat e emergjencave vijojnë të jenë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme.
Përditësim
Një i moshuar evakuohet nga banesa e tij në Novoselë, duke mbartur qenin dhe dhinë në prehër, si dhe disa sende personale për t'i shpëtuar përmbytjes.