Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin gjatë dy ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa qarqe, veçanërisht në Durrës dhe zonën e Shkozetit. Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke ndarë pamje nga Shkozeti, ku grumbullimi i mbetjeve plastike dhe plehrave ka bllokuar kanalet kulluese.
Në një postim në rrjetin social X, Rama shkruan: "Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut që e duam vetëm në stadium, vjen një ditë shiu me gjyma që i mbledh nga janë e nga s’janë dhe i dynd në det, po kur pastaj shiu është aq i furishëm sa ky i fundit, atëherë nuk e arrinë dot detin si zakonisht sepse gryka e kanalit taposet krejt, duke përmbytur dynjanë… *Shkozet".
Sipas Ramës, shiu i furishëm ka mbledhur mbeturinat e hedhura në zona të ndryshme, duke penguar rrjedhjen e ujrave drejt detit dhe duke rezultuar në përmbytje të zonave përreth. Pamjet e publikuara tregojnë një sasi të madhe mbetjesh plastike të grumbulluara në grykën e kanalit, e cila ka mbetur e bllokuar plotësisht.
Autoritetet kanë angazhuar mjete të rënda për të larguar mbeturinat dhe për të menaxhuar situatën. Rama ka theksuar se ekipet dhe strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në zonat e prekura. Kjo situatë nxjerr në pah problemin e ndotjes nga mbeturinat e hedhura në ambiente të hapura.