Në qarkun e Dibrës, reshjet e borës nisën më 8 janar 2026, pas reshjeve të shiut, dhe vazhduan deri më 9 janar. Këto reshje kanë ndikuar kryesisht zonat malore, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në rrugët rurale.
Në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Muhurr, Selishtë, Zall-Dardhë, Reç, Trebisht, Ostren dhe zonën e Martaneshit, trashësia e dëborës ka kaluar 10 centimetra. Këto zona kanë raportuar izolim të fshatrave të thella, ndërsa situata është rënduar nga rrëshqitjet e dherave dhe shembjet e pjesshme të rrugëve në disa njësi administrative.
Më 9 janar, ngricat dhe temperaturat nën zero gradë kanë shtuar prezencën e akullit në rrugët rurale, duke e bërë lëvizjen e mjeteve të rrezikshme. Probleme janë raportuar në Rrugën e Arbrit, ku disa segmente kanë borë dhe akull, si dhe në aksin Fushë-Bulqizë, Maqellarë dhe njësinë Xibër, pranë tunelit të Murrizit. Automjetet lëvizin me kujdes të shtuar në këto zona.
Strukturat vendore të bashkive janë në terren për të hapur rrugët dhe normalizuar situatën, me qëllim garantimin e lëvizjes dhe sigurisë së banorëve. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të përdorin goma dimërore, veçanërisht në zonat problematike.