Reshjet e shiut, të filluara që nga mbrëmja e 6 janarit 2026 në qarkun e Beratit, kanë ndikuar në infrastrukturën lokale.
Era e fortë ka lënë pa energji elektrike 10 fshatra në Njësinë Administrative Potom të bashkisë Skrapar. Fshatrat e prekur janë:
- Backë,
- Gjergjovë,
- Koprenckë,
- Gërmenj,
- Visockë,
- Qafë Helms,
- Melskë,
- Nikollarë,
- Dyrmish dhe
- Staraveckë.
Burime nga OSHE Berat konfirmojnë se grupet e punës janë në terren për riparimin e shtyllave të dëmtuara nga era dhe rikthimin e energjisë në këto zona malore.
Niveli i lumit Osum është duke u rritur dhe aktualisht ndodhet në kuotat mesatare. Kjo rritje ka përmbytur disa hektarë tokë bujqësore në fshatin Veterrik dhe zonën e Dafinave në bashkinë Dimal.
Gjatë mesditës së 7 janarit ka pasur prezencë gurësh në vendin e quajtur Rripi i Strorës në Skrapar, por pa penguar qarkullimin rrugor. Punimet për pastrimin e tyre janë në vazhdim. Deri më tani nuk raportohen situata emergjente, rrugë ose banesa të rrezikuara nga uji.