Reshjet e pandërprera të shiut në Qarkun Dibër kanë shkaktuar shembje masive gurësh dhe dherash në aksin nacional Burrel-Rrëshen, duke bllokuar pjesërisht karrexhatën dhe duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve.
Situata më kritike raportohet në segmentin e Shkopetit dhe pranë urës së Urakës, ku një masiv shkëmbor ka rënë në mes të rrugës, duke e ngushtuar qarkullimin vetëm në një sens. Amortizimi i aksit për shkak të viteve të kaluara ka përkeqësuar problemet, ndërsa reshjet e dy ditëve të fundit kanë rritur nivelin e lumenjve dhe përrenjve në zonë.
Probleme të ngjashme janë regjistruar edhe në rrugët e fshatrave, ku rrëshqitjet e dherave kanë bllokuar akseset drejt zonave urbane. Autoritetet vendore dhe kompania mirëmbajtëse e rrugës janë në terren për të larguar materialet inerte dhe për të rikthyer normalitetin në lëvizje.
Drejtuesve të automjeteve u bëhet thirrje për kujdes të shtuar, pasi rreziku nga shembjet mbetet i lartë për shkak të vazhdimit të reshjeve. Parashikohet përkeqësim i situatës në orët në vijim.