Shirat e rënë ditët e fundit në Shqipëri kanë shkaktuar probleme në akset rrugore, duke bërë disa prej tyre të pakalueshme. Midis tyre dallohet aksi Qukës-Qafë Plloçë, i inauguruar pak muaj më parë me një kosto prej 260 milionë eurosh. Dy ditë më parë, rrëshqitja e dherave dhe gurëve ka bllokuar rrugën dhe ka mbuluar një automjet që po kalonte.
Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, deklaroi se akset rrugore kombëtare janë të gjitha funksionale. Sipas saj, problematikat kanë ndodhur vetëm në akset rurale, të cilat mirëmbahen nga bashkitë përkatëse. Ajo theksoi se ka pasur angazhime nga Agjencia e Rrugëve dhe Autostradasë Shtetërore (ARRSH) dhe kontraktorët për të ndihmuar bashkitë.
Balluku përmendi edhe rastin e aksit nga Gjirokastra në Tepelenë, përfshirë Shkallën e Zezë, ku ka pasur rënie inertesh nga skarpata e maleve. Ky aks, sipas saj, është ndërtuar vite më parë dhe konsiderohet i konsoliduar. Ministrja shpjegoi se zjarret e shumta të këtij viti kanë krijuar mungesë bimësie në zonën e jugut, duke e bërë mirëmbajtjen e rrugëve më sfiduese. Megjithatë, ajo nënvizoi se i gjithë territori mbetet i aksesueshëm.