Ky artikull është përditësuar. Shiko përditësimet
Shqipëria renditet në vendin e 81-të në botë për gatishmërinë ndaj inteligjencës artificiale, sipas Government AI Readiness Index të publikuar nga Oxford Insights. Ky indeks vlerëson 193 vende bazuar në gjashtë indikatorë kryesorë. Raporti nxjerr në pah rezultate relativisht të mira në përdorimin e inteligjencës artificiale në sektorin publik, por mangësi të theksuara në hartimin e politikave dhe zhvillimin teknologjik.
Sipas indikatorëve, vlerësimi më i lartë i Shqipërisë është në përdorimin e inteligjencës artificiale në sektorin publik, me 68.95 pikë, që tregon një nivel relativisht të avancuar të adoptimit të zgjidhjeve dixhitale në administratën publike. Qeverisja vlerësohet me 51.67 pikë, duke reflektuar ekzistencën e strukturave institucionale dhe mekanizmave rregullatorë që mbështesin teknologjitë e reja. Infrastruktura për inteligjencën artificiale regjistron 48.44 pikë, ndërsa qëndrueshmëria shoqërore dhe institucionale arrin 46.09 pikë, duke treguar një bazë funksionale për zhvillimin e mëtejshëm.
Megjithatë, sfidat kryesore qëndrojnë në kapacitetin për hartimin dhe zbatimin e politikave, me vetëm 23.00 pikë, si dhe në zhvillimin dhe përhapjen e teknologjisë, me 28.55 pikë. Këto fusha tregojnë hapësirë të konsiderueshme për përmirësim.
Ndërsa vendet e tjera të Europës Lindore kanë miratuar strategji kombëtare, plane shumëvjeçare veprimi dhe investime të drejtpërdrejta në infrastrukturë, Shqipëria mbetet në një fazë ndërtimi të kornizës së saj. Iniciativat e deritanishme kanë karakter demonstrues dhe simbolik, veçanërisht në sektorin publik. Në vitin 2025, Kryeministri Edi Rama njoftoi krijimin e një "ministri të parë plotësisht virtual" për inteligjencën artificiale, i cili "solli në jetë" 83 asistentë dixhitalë për të mbështetur deputetët në punën e tyre. Në gusht të së njëjtës periudhe, u njoftua publikimi i afërt i strategjisë kombëtare për këtë fushë, por mungon ende një kuadër i plotë strategjik i miratuar dhe një plan i qartë zbatimi për zhvillimin në ekonomi dhe shoqëri.
Përditësim
Qeveria shqiptare emëroi Diellën si ministrja e parë e Inteligjencës Artificiale.
Këshilli i Ministrave miratoi Strategjinë e parë Kombëtare për Inteligjencën Artificiale në gusht.