Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka mbyllur vitin 2025 me të ardhura në buxhet prej 239.7 miliardë lekësh, ose rreth 2.5 miliardë eurosh, sipas të dhënave operative të publikuara në fillim të vitit 2026. Kjo shifër shënon një rritje prej 10.1 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2024, ose 4.3% më shumë, pavarësisht forcimit të lekut ndaj valutave të huaja, i cili ka ulur të ardhurat me rreth 9.5 miliardë lekësh.
Nëse nuk do të kishte luhatjet e kursit të këmbimit, rritja reale do të arrinte 19.5 miliardë lekë, ose 10% më shumë se viti paraardhës. Krahasuar me planin vjetor, të ardhurat u realizuan në masën 98%, por duke llogaritur efektin e kursit, rezultati është 103.3% i planit, ose 5 miliardë lekë mbi të.
Performanca pozitive mbështetet në mirëadministrimin, kontrollin e riskut, luftën kundër kontrabandës, dixhitalizimin e shërbimeve dhe thjeshtimin e procedurave për biznesin dhe qytetarët. Krahasuar me vitin 2020, të ardhurat doganore janë rritur me rreth 1 miliardë euro.
Mallrat e akcizës kanë kontribuar me 6.2 miliardë lekë më shumë se në 2024, kryesisht nga:
- Karburanti: +3.5 miliardë lekë, me rritje të konsumit prej 78.225 tonësh (zhdoganimi i përgjithshëm 760 mijë tonë, +75 mijë tonë).
- Cigare: +2.1 miliardë lekë, me rritje prej 210 tonësh (zhdoganimi 3.450 tonë).
- Gaz natyror: +64 milionë lekë.
- Vaj lubrifikant: +61 milionë lekë.
TVSH-ja në import ka dhënë +4.4 miliardë lekë shtesë, e nxitur nga rritja e importit të energjisë elektrike, karburantit, cigareve, konstruksioneve metalike dhe artikujve të tjerë. Taksa doganore u rrit me 513 milionë lekë, falë artikujve të konsumit të përditshëm, konstruksioneve metalike dhe ushqimeve të përgatitura.
Rritja e zhdoganimeve të mallrave në sasi ishte 5%, me rekorde te mallrat e akcizës, të cilat nuk ndikohen drejtpërdrejt nga kursi i këmbimit. Po ashtu, u shënua rritje te kafeja me 500 tonë dhe birrës me 1 mijë tonë më shumë se në 2024. Këto rezultate reflektojnë masat kundër evazionit fiskal dhe kontrollin e forcuar në dogana.