Ministria e Brendshme ka lëshuar udhëzimin e ri, sipas të cilit qytetarët mund të kryejnë riaplikimet për pasaportë biometrike dhe kartë identiteti në çdo zyrë të IdentiTek-ut në të gjithë territorin e Shqipërisë, pavarësisht njësisë së regjistrimit në gjendjen civile. Kjo procedurë vlen për aplikime standarde ose të përshpejtuara dhe synon të rrisë aksesueshmërinë, fleksibilitetin e shërbimit si dhe të zvogëlojë kohën dhe kostot e lëvizjes për qytetarët.
Ministrja e Brendshme Albana Koçiu theksoi se ky lehtësim përjashton rastet kur pasaporta e fundit është aplikuar përpara vitit 2012. Për këto aplikime, procedurat mbeten si më parë, duke u kryer vetëm në zyrat sipas vendbanimit të qytetarëve. Karta e identitetit tërhiqet pranë zyrës ku është bërë aplikimi, ndërsa pasaporta biometrike merret në Drejtorinë Vendore të Policisë në qarkun e aplikimit.
IdentiTek mbetet i angazhuar në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve ndaj shtetasve shqiptarë, përmes zgjidhjeve që vendosin në qendër nevojat e tyre dhe lehtësojnë aksesin në shërbimet e identifikimit. Kjo masë pritet të ndihmojë qytetarët që jetojnë ose punojnë larg vendbanimit të regjistruar, duke e bërë procesin më efikas.